Saturday, August 17, 2013

Kryepeshkopi Anastas( Janullatos ) viziton Gjirokastren

Festa e Shën Marisë në 15 gusht ishte një ditë e vecantë për Mitropolinë e Gjirokastrës sepse përvec festës,me ta ndodhej edhe Kryepeshkopi i Tiranës,Durresit dhe gjithë Shqipërisë.Ai shoqerohej gjithashtu nga Episkopi i Amantias,Nathanaeli.

Anastasi: puna e madhe për Orthodhoksët e rajonit ...

Funksionimi i parë, e cila në thelb u kthye në "Përurim" u festua në katedralen e re dhe të mrekullueshme  të Gjirokastrës.

Kryepeshkopi
Në fjalën e tij, zoti Anastas përgëzoi për punën e bërë për Katedralen e re,e cila është në fazën finale të përfundimit, pas mundimeve dhe sakrificave të shumë viteve dhe falënderoi besimtarët për përkrahjen e tyre. Përgëzoi Mitropolitin Dhimitër për këmbëngulje dhe durimin e treguar gjatë gjithë kësaj periudhe, si dhe drejtuesit e Mitropolisë së Gjirokastrës  për kontributin e tyre në punën e përsosur.



























Thursday, August 15, 2013

15 gushti-Festa e Shën Marisë

"Fjetja e Hyjlindëses"

Festa e Fjetjes së Hyjlindëses kremtohet në 15 gusht, e paraprirë nga dy javë agjërimi kreshmor. Kjo festë, e cila quhet edhe "Marrja", është për të përkujtuar vdekjen, ngjalljen dhe lavdërimin e Nënës së Krishtit. Ajo shpall që Maria "u mor" nga Perëndia, në mbretërinë qiellore të Krishtit, në të përmbushurit e ekzistencës së saj trupore dhe shpirtërore. Sikurse edhe në Lindjen e Virgjëreshës dhe në festën e Hyrjes së saj në Tempull, ne nuk kemi burime biblike apo historike as për këtë festë. Tradita e Kishës thotë që Maria vdiq, siç vdesin të gjithë njerëzit, jo "vullnetarisht", si Biri i saj, por, si pasojë e natyrës së vdekshme njerëzore, e cila është e lidhur në mënyrë të padukshme me prishjen e kësaj bote.
Kisha Orthodhokse na mëson se Maria nuk ka mëkate personale. Megjithatë, në Ungjillin e festës, në shërbesat liturgjike dhe në ikonën e Fjetjes, Kisha shpall, se Maria, me të vërtetë kishte nevojë të shpëtohej nga Krishti, ashtu si të gjithë njerëzit janë shpëtuar nga mundimet, vuajtjet dhe vdekja e kësaj bote; dhe mbasi ajo vdiq, ajo u ngjall nga Biri i saj si Nëna e Jetës dhe se tani merr pjesë në jetën e amëshuar të Parajsës, e cila është përgatitur dhe i është premtuar të gjithë atyre që "e dëgjojnë fjalën e Perëndisë dhe e ruajnë atë" (Lluka 11;27-28). Në lindjen tënde virgjërinë e ruajte, në fjetjen tënde s’e harrove botën, o Hyjlindëse. Në jetën e qiellit shkove, o Nënë e Jetës, me lutjet tuaja çliro shpirtet tona prej vdekjes (Përlëshorja). Zonjën që është e pafjetur për ndërmjetime dhe shpresën tonë të patundur për çdo mbrojtje, varri dhe vdekja s’e zotëruan dot, se ishte Nëna e Jetës dhe përsëri në jetë e çoi, ai që banoi në gjirin e saj të virgjër (Shkurtorja).



Shërbesat e festës përsërisin temën kryesore, atë që Nëna e Jetës ka "kaluar në harenë qiellore, në ngazëllimin hyjnor dhe në gëzimin pambarim" të Mbretërisë së Birit të saj (Varg Mbrëmësor). Këndimet e Dhiatës së Vjetër, si edhe këndimet e Ungjillit në Mëngjesoren dhe në Meshën Hyjnore, janë të njëjta me ato të festës së Lindjes dhe të Hyrjes në Tempull. Kështu, në Mëngjesore ne dëgjojmë përsëri Marinë të thotë: "Shpirti im madhëron Zotin dhe mendja ime u ngazëllua për Perëndinë, Shpëtimtarin tim" (Lluka 1:47). Në Meshën Hyjnore, ne dëgjojmë Apostullin nga Filipianët, ku Shën Pavli flet për vetëzbrazjen e Krishtit, i cili zbriti në formën e shërbëtorit dhe në vdekjen e turpshme që të "lartësohej" nga Perëndia, Ati i tij (Filipianët 2:5-11). Dhe përsëri ne dëgjojmë në Ungjill, se lumëria e Marisë i përket të gjithë atyre që "e dëgjojnë fjalën e Perëndisë dhe e ruajnë atë" (Lluka 11:27-28).
Kështu, festa e Fjetjes së Hyjlindëses është kremtimi i faktit, që të gjithë njerëzit janë "lartësuar" në lumërinë e Krishtit fitimtar dhe që ky lartësim tashmë është kryer tek Maria Hyjlindëse. Festa e Fjetjes është shenja, garancia dhe kremtimi, se fati i Marisë është destinimi i të gjithë atyre "të përunjurve", shpirtrat e të cilëve madhërojnë Zotin dhe mendjet e të cilëve ngazëllohen për Perëndinë, Shpëtimtarin e tyre dhe jetët e të cilëve i janë kushtuar krejtësisht dëgjimit dhe ruajtjes së Fjalës së Perëndisë, e cila i është dhënë njerëzve në fëmijën e Marisë, Shpëtimtarin dhe Çlironjësin e botës.
Së fundi, duhet të theksohet, se në të gjitha festat e Virgjëreshës Hyjlindëse, të krishterët orthodhoksë kremtojnë faktet e vetë jetës së tyre, në Krishtin dhe në Shpirtin e Shenjtë. Ajo që ndodhi me Marinë, ndodh me të gjithë ata që imitojnë jetën e saj të shenjtë plot përunjësi, bindje dhe dashuri. Së bashku me atë, të gjithë njerëzit do të jenë "të bekuar", do të jenë "më të nderuarën se Keruvimet dhe më të lavdëruarën pa krahasim se Serafimët", nëse ata ndjekin shembullin e saj. Tek të gjithë ata do të lindë Krishti, me anë të Shpirtin të Shenjtë. Të gjithë ata do të bëhen tempuj të Perëndisë së gjallë. Të gjithë ata, që bëjnë jetën që bëri Maria, do të marrin pjesë në jetën e amëshuar të Mbretërisë së Perëndisë.
Në këtë kuptim, gjithçka që është lavdëruar tek Maria, është një shenjë që tregon se çfarë i është ofruar çdo personi në jetën e Kishës. Për këtë arsye, Maria me fëmijën e saj hyjnor në duar, quhet në Traditën Orthodhokse Imazhi i Kishës. Sepse bashkësia e të shpëtuarve përbëhet nga ata, në të cilët Krishti banon. Në disa Kisha është zakon të bekohen lulet në festën e Fjetjes së Hyjlindëses së Shenjtë.

Tuesday, August 13, 2013

Një kishë e re i shtohet Tiranës

Inagurimi i Kishës së Metamorfozës në kompleksin "Thavor"

Qendra kulturore Thavor, Tiranë

U përurua Kisha e re e Metamorfozës së Shpëtimtarit


11 gushti, kur kremtohet e diela e 7-të e Mateut, ishte një e diel e veçantë për besimtarët e krishterë orthodhoksë të Tiranës. Një kishë e re çeli dyert dhe ajo mban emrin kuptimplotë të Metamorfozës së Shpëtimtarit. Kisha e re është ndërtuar në qendrën kulturore Thavor, ne zonën e Shkozës (përballë ish-Kombinatit të Autotraktorëve), ku ndodhet edhe shkolla e Muzikës Bizantine. Ajo do t’u shërbejë banorëve të kësaj zone që po popullohet gjithmonë e më shumë me banorë të ardhur nga i gjithë vendi, por edhe në rastet e veprimtarive të shumta që organizon Kisha jonë në këtë qendër.
Shërbesa e Çeljes se Dyerve dhe Liturgjia Hyjnore u kryen nga Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Anastasi, i ndihmuar nga Hirësi Nathanaili dhe klerikë të tjerë.
Gjatë predikimit, Fortlumturia e Tij falënderoi Perëndinë që mundësoi ndërtimin e kaq shumë kishave për besimtarët orthodhoksë: “E kremtja e Metamorfozës së Shpëtimtarit tonë,- tha ndër të tjera Kryepiskopi,- është e kremtja që na jep përgjigjen e kësaj pyetje, e kremte e cila na përcakton jetën shpirtërore orthodhokse. Të gjitha sa bëhen në kishë, mësimi, lutja, katekizmi etj., kanë si qëllim final që të transformojnë njeriun. …Biri i Perëndisë u mishërua, mori trup njerëzor për ta transformuar njeriun. Kjo është edhe vepra e madhe që ka Kisha jonë. Krishti nëpërmjet Metamorfozës së Tij e lartësoi natyrën tonë njerëzore dhe na tregoi që ajo ka mundësinë të jetojë një jetë të transformuar. Ne nuk duhet të jetojmë sipas botës, të pushtuar nga lakmia për gjëra materiale, një jetë thjesht për të kaluar vitet, por të shndërrohemi dita-ditës dhe të rritemi në lavdinë hyjnore. Udhëtimi ynë drejt Zotit është rritje që nga pagëzimi ynë deri në përjetësi; ky udhëtim nuk mund të jetë statik, por një proces i vazhdueshëm përparimi: të mësojmë të komunikojmë më mirë me njëri-tjetrin, të respektojmë të tjerët, të duam me dashuri pa hipokrizi, të kemi durim, të dimë të vuajmë etj.”



Thursday, August 8, 2013

Vizita e Kryepeshkopit Anastas Janullatos në Voskopojë

Mberitja

                    Predikim i Kryepiskopit Anastas Voskopojë


Hirësi Joan dhe Kryepiskopi Anastas,fjala në fund, Voskopojë


Kryepiskopi Anastas në Voskopojë,Mesha Hyjnore







Dita e 3 e vizitës së kryepeshkopit Anastas Janullatos në Korcë


Në këtë ditë,në 7-08-2013,kryepeshkopi mbushi 53 vjet si klerik,me dorëzimin e tij në dhjakon.
Dita e 3-të sot që Fortlumturia e Tij Anastasi  ndodhet pranë nesh dhe kjo vizitë përbën një gëzim të veçantë për të gjithë besimtarët e Mitropolisë së Shenjtë Korçë .
Gjatë ditës së djeshme pas vizitës dhe Meshimin në Kishën e Metamorfozës në Polenë, Fortlumturia shkoi në Boboshticë ku dhe vizitoi Manastirin e së Tërëshenjtës dhe Kishën në Ndërtim të Shën Nikollas. Atje plot fëmijë i dhuruan lule.Me kaq mbaroi dita e djeshme.
 Ndërsa sot ai vizitoi fshatin historik të Voskopojës dhe Meshoi në Kishën e shek të 18-të, atë të Shën Nikollës. Natyrisht simbolika  e fshatit dhe e kësaj Kishe që në kohët kur krishtërimi sulmohej ashpër ky qytet lulëzonte dhe ndërtonte Kisha përbën dhe  një shembull dhe shkak të mirë për t’u vizituar e për të kujtuar se mgjth vështirësitë nëpërmjet besimit përballohen të gjitha vështirësitë.
Ai mbëriti në Voskopjë  rreth orës 8:00 dhe Udhëhoqi Meshën e mbajtur në Shën Koll. Bashkëmeshuan me të Mitropoliti Joan dhe Episkopët Asti dhe Nathanail si dhe shumica e klerikëve të Mitropolisë së Korçës. Në Meshë morën pjesë dhe shumë besimtarë nga Voskopoja por dhe nga Korça.
Në predikimin e tij Kryepiskopi Anastas u përqëndrua kryesisht tek rëndësia e madhe që ka në jetën e secilit prej nesh që të kuptojmë që Krishti është Perëndia e të gjallëve dhe të vdekurve dhe e vetmja mënyrë që të trasformohemi dhe të fitojmë mbretërinë qiellore është që t’i bindemi plotësisht atij. Kështu do të mundemi të përballojmë vështirësitë dhe sakrificat me lehtësi.
Pas Kungimit Hirësi Joani  në fjalën e tij shprehu gëzimin e madh që ndajmë të gjithë me prezencën e Kryepiskopit Anastas. Ai iu rreferua punës të stërmadhe që Kryepiskopi ka bërë, jo vetëm për Kishën Orthodhokse Shqiptare, e cila për shumë konsiderohej e pamundur që të shpëtonte, por dhe për orthodhoksinë në mbarë botën në këto 53 vjet sakrifica. Nuk njoh askend ka ofruar më tepër se Kryepiskopi për këtë vend, këtu e 22 vjet që kemi demokraci. Prandaj atë që mund të bëjmë të paktën është të themi faleminderit –tha Hirësia dhe mbylli fjalën e tij.
Sot në ora 16:00 Kryepiskopi u nis drejt Tiranës. Të gjithë uruam që Zoti t’i japë fuqi dhe shëndet që ta kemi sa më tepër pranë nesh, por dhe një rikthim jo të largët në Mitropolinë tonë.

                                           Boboshtice 







                                               Voskopoje










Wednesday, August 7, 2013

Dita e dytë e vizitës së Kryepiskopit Anastas në Mitropolinë e Korçës,VIDEO

                                               Pjesë nga Mesha

 

                   Fjala e Hirësi Joanit dhe Kryepiskopit Polenë Korçë


                               Predikimi i Kryepiskopit në Polenë,Korçë


                        

                            Mbritja e Kryepiskopit në Polenë



Dita e dytë e vizitës së Kryepiskopit Anastas(Janullatos) në Mitropolinë e Korçës!

Në ditën e dytë të vizitës së tij,Fortlumturia e tij,Kryepiskopi Anastas mori pjesë në Meshën Hyjnore të mbajtur me rastin e Metamorfozës në Kishën e Fshatit Polenë me të njejtin emër. Ajo që binte menjëherë në sy ishte se besimtarë nga të gjitha moshat e prisnin atë me padurim. Kontrasti që ofronte pamja e nxënësve dhe të moshuarve që mbanin lule me synim t’ia dhuronin Fortlumturisë gjatë mbritjes së tij, emociononte këdo që e shikonte. Ai mbriti rreth orës 08:00 i shoqëruar nga Mitropoliti i Korçës Joani, nga Episkop Asti, Episkopi Nathanail dhe klerikë të tjerë,  disa metra larg Kishës ku mbahej mesha grumbull njerëzish, klerikë dhe laikë, e prisnin. Ata morën bekimin dhe më pas të gjithë e shoqëruan Fortlumturinë gjatë Hyrjes së tij në tempull. Sërisht atje shumë besitmarë morën bekimin e tij. Mesha Hyjnore e mbajtur nën udhëheqjen e tij transmetonte ndjesinë e përulësisë  dhe mallëngjimit. Në fund të Meshës Fortlumturia e Tij Kryepiskopi Anastas predikoi. Gjatë këtij predikimi  ai u përqëndrua tek “Metamorfoza”, “Transformimi” që secili prej nesh duhet të pësojë nëpërmjet besimit dhe jetës shpirtërore orthodhokse.
Ndërsa pas Kungimit,Hirësi Joani falenderoi Zotin që bekoi këtë vend dhe dërgoi një njeri si Kryepiskopin Anastas, por falenderoi dhe vetë Kryepiskopin për të gjitha ato sa i ka ofruar deri tani Kishës Orthodhokse Autoqefale Shqiptare dhe iu rreferua të gjitha sakrificave, për shkak të dashurisë, që ka bërë dhe të gjitha pengesave që ka kaluar ai. Hirësia theksoi se shumë të tjerë do të ishin larguar, ndërsa ai duroi për hir të Dashurisë ndaj Perëndisë dhe Kishës. Të gjithë besimtarët duhet t'i themi të paktën faleminderit për të gjitha ato sa ka bërë ai për këto 22 vjet me rradhë. 
Pasdite pritet të vizitojë Manastirin e Fjetjes së të  Tërëshenjtës, por dhe Kishën e Re të Shën Nikollas, që po ndërtohet nga Kryepiskopata dhe Mitropolia e Korçës, në Boboshticë.