Ashtu siç e dimë të gjithë ne 26 shtator përkujtohet Shën Joan Theologu. Kisha Orthodhokse në kalendarin e saj përkujton çdo ditë një shenjtor i cili përkujtohet me synim që të ndihmojë në mënyrë praktike dhe konstruktive jetën shpirtërore të çdo besimtari të saj.
Ajo që bente të veçantë ditën e sotme , për besimtarët orthodhoksë të Mitropolisë së Korçës, ishte fakti se sot festonte dhe kryebariu ynë, Mitropoliti Joan. Me këtë rast u mbajt një Meshë festive në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” në Korçë. Natyrisht që të gjithë klerikët e dioqezës ishin prezentë kështu që festa u celebrua me “Monoklisi”.
Katedralja u mbush plot me besimtarë të cilët së bashku me klerikët u lutën që Zoti t’i falte ndriçim, bekime dhe shëndet Mitropolitit Joan.
Në këtë Meshë të Shenjtë morën pjesë nxënës dhe Mësues të Shkollave Jo-Publike “Omiros” dhe nga Gjimnazi “Platoni”.
Në fund të Meshës At Ilia Kotnani uroi në emër të të gjithë klerikëve dhe besimtarëve Hirësi Joanin.
Hirësi Joani gjithashtu falenderoi të gjithë sa ishin prezentë për ta uruar. Ai e përqëndori fjalën e tij tek dashuria që duhet të kemi të gjithë për njëri-tjetrin dhe sesa e nevojshme është që të mbushë zemrat tona sidomos në ditët e vështira që jetojmë.
Pas naforës nxënësit e Shkollës “Omiros” i dhuruan një buqetë me lule dhe i kënduan një këngë urimi.
Gjithashtu dhe të rinjtë orthodhoksë kishin përgatitur një buqetë që ja dhuruan. Dhe ne urojmë nga zemra "Për Shumë Vjet o Kryezot".
Botuar në Gazeta Shqiptare, e mërkurë 25 shtator 2013.
Ndonëse nuk e kisha përmendur emrin tuaj, ju u përgjigjët duke replikuar ndaj shkrimit tim. Megjithëse në replikën tuaj, nuk pashë ndonjë replikë të vërtetë, ndjehem i detyruar të përgjigjem. Të them të drejtën, jo për t’ju sqaruar juve, por më tepër opinionin publik, në lidhje me disa çështje, të cilat ju dhe disa të tjerë jeni përpjekur t’i deformoni dhe të keqinformoni. Nuk kërkon ndonjë mençuri të madhe për të kuptuar që të gjitha këto shpifje dhe denigrime, që bëni kundër Kishës Orthodhokse dhe kundër Kryepiskopit të saj, bëhen nga keqdashja juaj ndaj kësaj Kishe. Dhe për më tepër, merrni rolin për të shpjeguar disa çështje, për të cilat, siç del edhe nga përgjigjet tuaja, nuk keni as njohuritë fillestare.
Nuk është e ndershme të mashtrohet opinioni publik me shpjegime të bëra nga dikush që përpiqet të jetë “specialist” në çdo gjë, sidomos në çështjet teologjike dhe kanonike. Shkruanit në replikën tuaj, me sarkazëm dhe tallje, për një vendim të Sinodit të Nikesë, një Sinod i respektuar nga të gjitha Kishat se: “Dikur, në shek. IV, bota e krishterë u përlesh dhe u përgjak rreth debatit mbi natyrën e Krishtit: a ishte ai njëri, apo ishte perëndi? Në Koncilin e Nikesë (325), teologët i dhanë kënd të shpikin formulën pajtuese, sipas së cilës Krishti nuk ishte "perëndi", por ishte gatuar me të njëjtën "substancë" që ishte gatuar edhe vetë Zoti (omoiousia). Nëse kokat e mendimit të krishterë u treguan aq të kursyer me Jezu Krishtin, kur ky ishte martirizuar tashmë për njerëzimin e nuk jetonte më, ku e gjen bazën doktrinore ikonom Spirua për ta shpallur Hirësinë e tij, ende në të gjallë e në krye të punëve të dyshimta, si "mishërim të Zotit në tokën shqiptare"?”
Edhe nxënësi më i papërgatitur i teologjisë e di se ai Sinod formuloi të kundërtën e asaj që thoni ju. Vendimi bazë i këtij Sinodi ishte pikërisht shpallja se Krishti ishte Perëndi i plotë dhe njeri i plotë. Këtë besojnë të krishterët. Madje ishte herezia e Ariosit ajo që deklaronte se Krishti nuk është “perëndi”. Nëse ju doni të riaktivizoni herezinë e Ariosit, jeni i lirë për ta mbështetur hapur atë, por jo të shtrembëroni të vërtetën.
Termi që formuloi Sinodi i Nikesë nuk ishte ai që thoni ju. Ky Sinod formuloi termin omoousia (që përkthehet në shqip -i bashkëqenshëm- ose -që ka të qenët një), siç thuhet edhe në Simbolin e Besimit të Sinodit të Nikesë. Ndërsa termi omoiousia, për të cilin gabimisht thoni se u formulua nga Sinodi i Nikesë, për të përcaktuar natyrën e Krishtit, ishte në fakt termi që u formulua nga heretikët Semi-Arianë dhe që u kundërshtua nga Orthodhoksët. Është tashmë e njohur për të gjithë ata që kanë studiuar teologji se termat omoiousia dhe omoousia kanë ndryshim substancial. Një "io"-ta bën një diferencë të madhe.
I kërkojmë ndjesë lexuesit për zgjatjen në këtë term, por qëllimi këtu nuk është për të bërë debat teologjik, sepse nuk mund të bëhet debat teologjik me ndonjë që nuk është teolog, por për të bërë të qartë se si të vetëquajturit “specialistë” të çështjeve teologjike, kanonike dhe kishtare mashtrojnë opinionin publik, kur përpiqen të shpjegojnë gjëra, që ata vetë nuk i dinë. Madje nëse ju z.Xhufi po të ishit realisht i interesuar për t’i ditur këto gjëra, nuk do ishte nevoja të studionit teologji, por do të mjaftonte të klikonit në Wikipedia dhe do të lexonit se çfarë ka vendosur Sinodi i Nikesë.
Shkruani se Kryepiskopi nuk u zgjodh në mënyrë kanonike dhe filloni e hyni në interpretime dhe citime për të cilat nuk keni dijenitë e duhura. Ndonëse është qartësuar shumë herë nga Kisha jonë për pasaktësitë historike të këtyre akuzave dhe të mosnjohjes së institucioneve kishtare dhe të drejtës kanonike, nga këta persona, të cilët i bëjnë këto akuza, përsëri ia vlen që për hir të sqarimit të opinionit publik, të përsëriten.
Zgjedhja e Kryepiskopit u konsiderua nga të gjithë kanonistët e të gjitha Kishave Orthodhokse e rregullt dhe sipas kanoneve në fuqi të Orthodhoksisë. Të gjithë Primatët e të gjitha Kishave Orthodhokse në botë e konfirmuan këtë zgjedhje dhe këtë fronëzim si të rregullt nga ana kanonike. Pra, si ka mundësi që qindra teologë dhe kanonistë të shquar në të gjithë botën Orthodhokse dhe së bashku me ata edhe të gjithë Primatët e këtyre kishave paskan gabuar dhe vetëm “kanonisti” ynë, z.Xhufi, e paska gjetur gabimin? Çdo intelektual i ndershëm duhet të jetë serioz me këto çështje delikate.
Të gjithë ata që janë marrë me historinë e Kishës Orthodhokse e dinë se Sinodi i parë kanonik i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë u zgjodh në vitin 1937, po në Konstandinopojë, nga Patriarkana Ekumenike, pa pjesëmarrjen e faktorëve të tjerë. Është mirë të sqarohet se Kryepiskopët, Mitropolitët, Episkopët, dhe priftërinjtë nuk vendosen nga politika, por nga Sinodi i Shenjtë. Kryepiskopi Anastas nuk është emëruar nga asnjë politikan, nga jashtë ose nga brenda vendit, por ka qenë kërkesa e besimtarëve orthodhoksë drejtuar Patriarkanës Ekumenike. Nëse nuk e dini këtë mund të pyesësh z.Nikolla Marku, mikun tuaj, sepse ai e di shumë mirë se si ka ardhur Kryepiskopi këtu dhe është mirë të thotë të vërtetën e asaj kohe, të vitit 1992, ku ka firmosur edhe ai vetë, së bashku me të gjithë studentët e teologjisë, kërkesën e besimtarëve orthodhoksë të Shqipërisë, drejtuar Patriarkanës, ku i kërkohej që Eksarku i saj, i cili kishte dhënë prova për dashurinë ndaj Kishës dhe për aftësinë për ringritjen e saj nga gërmadhat, nga që Kisha nuk kishte asnjë Episkop, të zgjidhej për të kryesuar Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Sot, kushdo që ka parë zhvillimin e Kishës në këto vite dhe është dashamirës ndaj saj, mund të thotë pa hezitim, se kërkesa për të zgjedhur Kryepiskopin Anastas ishte e duhura. Vetëm ata, që për arsye të ndryshme, nuk e duan Kishën Orthodhokse, janë të dëshpëruar nga kjo zgjedhje.
Ashtu edhe Statutet, të cilët i ke merak, nuk i harton politika dhe aq më pak Shteti, por organet kompetente të Kishës, të cilët kanë të drejtë t’i ndryshojnë sa herë paraqitet nevoja. Sa për nenet e statutit të 1929, të cilët e robëronin Kishën ndaj Mbretit, si edhe nenet që në mënyrë mashtruese citohen shpesh nga ju, p.sh: Neni 16, duhet ditur se edhe vetë Statuti i 1929 thotë se ato mund të ndryshohen nga Këshilli Kleriko-Laik, ose Sinodi, sa herë është e nevojshme. Vetëm nenet teologjike, d.m.th. tre nenet e para, (Neni 1. 2. 3.), të atij Statuti ishin të pandryshueshëm. Prandaj nuk është mirë të mashtrohet opinioni i gjerë publik me gjoja ndryshimin e Statutit. Të gjitha komunitet e tjera fetare i kanë ndryshuar Statutet e tyre, sipas nevojës së kohës. Vetëm Komuniteti Orthodhoks nuk paska të drejtë ta bëjë këtë?! Shteti Shqiptar, gjithashtu e ka ndryshuar Kushtetutën e tij, përse nuk e akuzoni edhe atë për ndryshimin e Kushtetutës së 1928? Por çështja nuk qëndron këtu, por tek keqdashja dhe tek axhenda antiorthodhokse, në të cilën ju keni marrë përsipër detyrën që të jeni një nga protagonistët.
Në replikën ndaj meje, duke marrë në mbrojtje N.Markun, “priftin” tuaj, më akuzonit se po e sulmoj. Nuk e kam sulmuar zotëri, por kam thënë të vërtetën, të cilën jam gati ta argumentoj ku të dojë ai, madje edhe ju bashkë me të, në çdo kohë dhe në çdo vend. Edhe vetë Nikolla e di që unë nuk gënjej, por them të vërtetën, sepse ai e di mirë se kush jam. Nuk do të isha marrë me të, por nuk mund të pranojmë që të mashtrohet opinioni i gjerë me gënjeshtra dhe me të pavërteta. Madje na vjen keq që ai është bërë një vegël e verbër në duart e grupimeve ekstremiste antiorthodhokse, duke tradhtuar vetë identitetin e tij. Por kjo është zgjedhja e tij.
Na thoni se jemi të shitur. Gabohesh z.Xhufi, ose më mirë maskohesh, sepse e dimë se mbrapa thirrjeve tuaja, gjoja patriotike, fshihet urrejtja juaj ndaj orthodhoksëve. Si qënkan të shitur të gjithë klerikët e Kishës Orthodhokse? Nuk jemi ne të shitur, zotëri, ne klerikët që po përpiqemi për bashkimin, paqen dhe përparimin e vendit, por ju dhe takëmi juaj, të cilët po përpiqeni të mbillni përçarjen dhe urrejtjen. Në 100 vjet të Shtetit modern Shqiptar nuk është parë ndonjëherë një propagandë e tillë antiorthodhokse dhe përçarëse, si kjo e bërë nga ju dhe nga disa shokë tuaj. Të shitur janë ata që përçajnë dhe shkatërrojnë harmoninë dhe bashkekzistencën. Kushdo që qëndron mbrapa jush, ju paguan për një vepër antikombëtare. Në kohët e sotme nuk mund t’i gënjeni më njerëzit me parulla.
Më akuzoni për gjuhë të ashpër. Dhe kush?! Ju, që nuk keni lënë fjalë pa sharë Kishën dhe klerikët e saj. Nuk është gjuhë e ashpër, por po themi dhe po mbrojmë të vërtetën. Apo mendoni se ne Orthodhoksët, si raja, nuk kemi të drejtë të kundërshtojmë sunduesit dhe ju revoltoheni nëse ne ngremë zërin. Si nuk ju dëgjuam, qoftë edhe një herë, të flisni një fjalë të mirë për Kishën dhe Orthodhoksët dhe për të gjithë veprën e tyre bamirëse gjatë gjithë këtyre viteve? Madje shkoni aq larg sa i akuzoni klerikët në Përmet për sulm banditesk. Por sulmi nuk u krye nga klerikët, por kundra tyre. Si nuk e patë poshtërimin dhe përdhosjen që iu bë Kishës? Si nuk e patë dhunën ndaj besimtarëve dhe klerikëve? Si nuk reaguat, ju z.Xhufi, kur jeni kaq i vëmendshëm ndaj orthodhoksëve, kur sendet e shenjta të Kishës në Përmet u hodhën në makinën e plehrave të qytetit? Si duhej të reagonin besimtarët ndaj një sakrilegji të tillë? Si do të kishin reaguar besimtarët e çdo besimi ndaj përdhosjes së gjërave të tyre të shenjta? Apo për ju kjo është normale, madje mirë jua bënë “kaurëve”. Kjo është drejtësia dhe patriotizmi juaj?
I shani dhe i anatemoni vazhdimisht gjykatat për vendimet e padrejta, ndërsa kur marrin vendime kundër Kishës, dilni në mbrojtje të tyre. Kur qënkeni kaq të flaktë për Shtetin ligjor, përse nuk e ngrini zërin edhe për ndërtesën që është pushtuar me forcë nga “prifti” juaj N. Marku? Edhe në këtë rast të gjitha gjykatat ia kanë dhënë Kishës, por asnjë nga ju nuk është i interesuar për Shtetin ligjor, kur flitet në favor të Kishës Orthodhokse. E dimë që jeni të njëanshëm, por të paktën mos pretendoni për drejtësi dhe patriotizëm nëse keni dy standarde.
Arrin të na thuash se kur kalohen kufijtë, punët tona do t’i shikoni ju. Kush ju? Pse, u shojtën orthodhoksët e këtij vendi që të bjerë Kisha në duart tuaja, në duart e ateistëve dhe të atyre që e persekutuan? Ndoshta keni nostalgji për kohën kur Kisha ishte e nënshtruar ndaj Mbretit, apo për kohën e persekutimit ateist. Apo doni që orthodhoksët të jenë përsëri popullsi raja, nën pashallarë të rinj, si puna juaj. Duhet ta dini z.Xhufi se ato kohë kanë perënduar dhe se Kisha Orthodhokse në Shqipëri, si të gjitha Komunitetet e tjera fetare, është e lirë dhe ka të drejtën të organizohet sipas Kanoneve të saj dhe ka institucionet dhe njerëzit e saj të përgatitur për ta drejtuar atë. Etërit tanë e mbrojtën Kishën dhe ruajtën besimin dhe identitetin e tyre, nëpërmjet sakrificave të mëdha, në kohë shumë të vështira. Pa dyshim z.Xhufi, edhe ne do ta mbrojmë besimin dhe Kishën tonë. Komuniteti ynë ka qenë gjithmonë një komunitet paqësor dhe ka punuar gjatë gjithë historisë për zhvillimin dhe përparimin e këtij vendi. Kurrë nuk i kemi sharë ose sulmuar të tjerët dhe as nuk do ta bëjmë. Por nuk mund të pranojmë që njerëz, të cilët nuk kanë asnjë lidhje me Kishën, si ju z.Xhufi, të nëpërkëmbin dhe të poshtërojnë Kishën Orthodhokse dhe klerikët e saj.
Z.Xhufi, sigurisht jo vetëm unë, por i gjithë Komuniteti Orthodhoks të ka ndjekur në shkrimet që ke botuar dhe në emisionet televizive, të ripërsëritura me të njëjtat akuza dhe me të njëjtat komente kundër Kishës Orthodhokse dhe Kreut të saj. Në të gjitha ato shfaqet hapur urrejtja dhe keqdashja juaj ndaj Kishës Orthodhokse. Por, nëse ju nuk ju pëlqen Kisha Orthodhokse, përparimi dhe ringritja e saj nga gërmadhat nën drejtimin e Kryepiskopit Anastas, ky nuk është faji ynë.
Ka muaj që japin intervista në televizion, por edhe në shtypin e përditshëm për alternativën Kishë apo Shtëpi Kulture, por tashmë tejet vonë për të na rimbushur mendjen për drejtësinë që do e vendoska policia private përmbaruese, sikur të mos jemi këtu e ti dimë se çfarë në të vërtetë janë gjyqet shqiptare e çfarë është drejtësia në këtë vend ku veç drejtësi mos kërko se kurrë nuk e gjen. E për çfarë gjithë kjo tërkuzë mediatike që nuk do të pushojë? Për një ndërtesë të vjetër në Përmet me emrin e Naim Frashërit, kur shtëpinë ku ka lindur Naim Frashëri në Frashër e kanë kthyer në gërmadhë – turpi i botës dhe këta as që flasin fare për këtë temë. Sikur të mos e dinë se edhe shtëpia e Luigj Gurakuqit nuk ekziston më, se varri Kol Idromenos është kthyer në një gjendje të mjeruar. Po si janë katandisur kishat e vjetra, afresket e ikonografëve tanë me emër në botë, Onufri, David Selenicasi e Konstandin Zografi që rripen prej mureve vandalisht sikur të qenë lëshuar vandalët e epokave të errta në histori. Ku është kryqi i Kishës së Shën Marisë në Labovë, e lashtë kjo kishë, themeluar në vitin 554 të erës sonë. Është fjala për një kryq të artë, cili konsiderohet një nga reliket më të çmuara të ortodoksisë në botë.
Ka mbi dy dekada që është grabitur e dërguar jashtë shtetit ky objekt i shenjtë që vlerësohej në bazë të gojëdhënave se qe ndërtuar me drurin e kryqit në të cilin vdiq Krishti dhe sipas besimtarëve nëpër shekuj, kishte vetinë të bënte mrekulli shëruese. Kemi një shtet, kemi institucione, kush u shqetësua dhe u vu në ndjekje të kësaj piraterie që vazhdon edhe sot e kësaj dite me veprat e të madhit Vangjush Mio në Korçë nën hundën e administratës shtetërore. Një heshtje ogurzezë. Madje edhe në Institutin e Monumenteve të Kulturës drejtuar deri tani nga një partiak me fanatizëm politik, del fjala se nuk i interesojnë ku e si vjedhin monumentet e kulturës. Bëjnë sikur problemet e shkatërrimit të institucioneve kulturore të mos ekzistojnë. Dhe përpiqen të hiqen gjoja objektivë. Flasin për Naimin, apo e keqpërdorin emrin e tij në këtë rast, e pikë respekti nuk kanë për Naimin. Edhe në Tiranë do t’u vënë nga pas vëllezërve Frashëri një pallat gjigant që të duken si miniatura kur ata janë kollosë të kombit. Doli dhe një ish-drejtor i ish-Pallatit të Kulturës Përmet dhe foli. Nuk dinte çfarë të fliste dhe përdori terma spekulative nacionaliste që nuk kanë asnjë lidhje me problemin. Edhe ky gjoja po luftonte për Naim Frashërin.
Kam vërejtjet e mospajtimet e mia në çështjen “Janullatos”, por mënyra si këmbëngulet në përditshmëri dhe pa asnjë kompromis e premisë zgjidhje, po më krijon përshtypjen se kjo histori po merr trajtën e një histerie që ka tendencë të llangoset si anti-ortodoksi, por e mbuluar gjoja me një krenari e ndjesi nacionaliste. Krejt kot. Sepse nuk janë atdhetarë ata që flasin, por ata që bëjnë diçka për këtë vend e për këtë popull. Flasin gjithnjë për Naimin, duke e zhvleftësuar edhe vetë fjalën se qëllimi dihet nuk është ndonjë vlerë apo kauzë e madh. Punë tullash. Atdhetarët e besimit ortodoks kanë qenë një prej shtyllave të shqiptarizmës nëpër shekuj. Mendoni sa peshon në historinë tonë kombëtare një Fan Nol? Të ishte gjallë Naimi i madh do të sillej ndryshe. Do ta falte edhe shtëpinë e vet për nipat e Petro Nini Luarasit, Anton Zako Çajupit, Kristoforidhit e Thimi Mitkos. Të jemi realistë, të kish qenë pronë e xhamisë e jo e kishës ajo tokë në fjalë, kush do të guxonte të hiqte hoxhallarët zvarrë?! Këta po e bëjnë si Enver Hoxha në të gjallë, që ishte kundër të gjitha feve, por për të pushkatuar, pushkatonte priftërinjtë katolikë. Kjo histori që të mos kthehet në histeri duhet të marrë fund se po bëhemi qesharakë në sy të botës.
Do merret Europa me ne. Të na rrojë ajo gërmadha me emrin pallati i kulturës pastaj. Do bëhet si sebepi i Berishës me 5 a 6 minoritarë fshatarakë që i burgosi për ca shkaqe spiunllëqesh qesharake dhe e pësuan 500 mijë emigrantë shqiptarë në Greqi me operacionin famëkeq grek me tingull racist “Fshesa”, e cila nisi para njëzet vjetësh e vazhdon edhe sot e kësaj dite nën indiferencën e shtetit tonë, dhe për më tepër tashmë shërben si barometër tregues në rastet e marrëdhënieve të acaruara shqiptaro-greke. Pse pra vazhdojmë në një qorrsokak me këtë konflikt të kotë, pse nuk po dimë një herë t’i mbyllim gjërat tona me urti duke bërë llogaritë mirë se çfarë është në interesin e shtetit por edhe të gjithëve, një ndërtesë gërmadhë apo një unitet kombëtar. Ortodoksia shqiptare ka nxjerrë martirë të atdhetarisë që kanë dhënë jetën, kujtoni Papa Kristo Negovanin, At Stathi Melanin që ranë martirë për Atdhe, njëri në vitin 1905 e tjetri në vitin 1917, ndaj them se edhe sikur shteti t’ua falë atë gërmadhë me emrin shtëpi kulture nuk do të qe ndonjë humbje e madhe.
Por këtu lot edhe ndjesia e ligë e anti ortodoksisë të disa individëve qëllimkëqinj, që shtiren krejt rrejshëm si atdhetarë duke i konsideruar shqiptarët ortodoksë grekë e jo shqiptarë. Për mua, shqiptar që kam lidhjet familjare me të tri fetë kryesore në Shqipëri; – katolikë, ortodoksë e muslimanë, kush i fryn kësaj çështje po bën një punë antikombëtare. Marrëzira të tilla ndodhin në Arnautstanin tonë prej njerëzish me mendësi talebane, sepse po i përmendim këtu vetëm tri fakte: një bust të Nënë Terezës që për turp nuk e pranuan në hyrje të Shkodrës, një kishë katedrale katolike që u bë aq zhurmë të mos bëhej në qendër të Prishtinës dhe e treta një kishë ortodokse në Tiranë në rrugën Ibrahim Rugova, që u konsiderua tragjedi prej disa gjoja atdhetarëve por me mendësi fetare islame nga pozita e fanatizmit e jo tolerancës. Ende jemi shumë larg prej mendimit përparimtar të Fishtës së madh që lidhi me drita kompanjelin e Kishës së Fretënve me minaren e Xhamisë në Fushë Çelë. Në të vërtetë nuk jemi shumë larg asaj kohe por jemi shumë larg atij mendimi gjenial të atdhetarit të madh Gjergj Fishta. Prandaj mjaft më me një kauzë të stisur si ajo e Kishës së Përmetit që po na e shesin si shtëpi kulture, kur nuk ka asnjë shtëpi kulture në të gjithë Shqipërinë.
Këtë e di gjithkush, qytetarët por edhe talebanët tanë që i shkatërruan. Nuk drejtohet media me kokën në rërë si struci, kinse nuk po shohin çfarë po ndodh rrotull Shqipërisë. Se nuk është vetëm Përmeti. Edhe një shtëpi shkrimtarësh e artistësh që kishte Tirana, qeveritarët talebanë të kulturës që sapo ikën sepse i zboi populli, e kthyen në një Ministri Kulture dhe as atëherë e as sot nuk po shohim që media t’i thotë të paktën qeverisë së re: – kthejuani ndërtesën që ua morët në mënyrë arbitrare shkrimtarëve dhe artistëve, atyre që vazhdojnë pasionin e madh të Naim Frashërit. Jo për këtë punë nuk e duan Naimin. Naimin e duan vetëm kur u vjen ndoresh të lajnë hesapet me ortodoksët, të cilët mendjeçalët tanë i konsiderojnë si grekë e jo shqiptarë. Fundi fjalës a ka kush ti thotë mjaft kësaj zhurme qëllimkeqe sepse janë të panumërta problemet që duhen të zgjidhen, para se sa një ndërtesë e vjetër që një zot e di si nuk qenka shkatërruar, si çdo gjë që është shkatërruar e rrafshuar me themel në këtë vend.
Ndërsa përgatitej të shkonte në Romë e të luftonte kundër rivalit të tij Maksentit, Konstandini i Madh pa një natë shenjën e Kryqit jetëbërës t’i shfaqej në një formë të shndritshme në qiell të rrethuar nga këto fjalë ”ΕΝ ΤΟΥΤΟ ΝΙΚΑ”, e përkthyer “Do të fitosh me këtë”. I zbukuroi armatimet me shenjën e kryqit dhe kori fitore brilante, gjë që i lejoi të merrte pushtetin mbi gjithë perandorinë romake dhe të siguronte triumfin e Krishterimit. Në vitin e 20 të mbretërimit të tij, Konstandini dërgoi nënën e tij Elena në Jerusalem që të nderonte Vendet e Shenjta, të gjente vendin e Varrit të Shenjtë dhe të Kryqit, ku punimet për zgjerimin e qytetit nga Adriani kishin bërë të fshiheshin në rrënoja. Me ndihmën e traditave gojore, Shën Elena gjeti të tre kryqet, dy të kusarëve dhe Kryqin e Zotit, si dhe tri gozhdë që kishin mbërthyer gjithashtu trupin e Zotit. Por nuk mundi dot të dallonte se cili ishte Kryqi i Zotit. Shërimi i një gruaje që ishte në prag të vdekjes me anën e Kryqit të Zotit bëri që patriarku i Jerusalemit ta dallonte nga dy të tjerët. Atëherë ai hipi mbi amvonën e kishës, dhe duke marrë Kryqin e lartësoi para të gjithëve, ndërsa turma thërriste:- “Mëshiro, o Zot!”. Që nga kjo ditë, Etërit e shenjtë vendosën ta kremtonin çdo vit Lartësimin e Kryqit të çmuar në të gjitha kishat, jo vetëm në kujtim të kësaj ngjarjeje, por të treguar se nga instrument turpi që ishte, kryqi u bë lavdia dhe gëzimi ynë. Duke kujtuar atë ç’ka bëri patriarku dhe duke e lartësuar Kryqin në katër anët e horizontit me thirrjen “Mëshiro, o Zot”, të krishterët tregojnë sot se duke u ngjitur në Kryq, Krishti ka pajtuar me veten e Tij gjithçka, ka bashkuar të gjitha largësitë e krijimit, lartësinë dhe thellësinë, në trupin e Tij, që ne të shkojmë tek Ati. Kjo ditë është një ditë kreshme edhe nëse festa bie në ditë të diel. Në këtë rast përdorim vaj dhe verë.
Skandal i trefishtë: Sakrilegji, Fshehja e ekzistencës së qendrës së re kulturore moderne në Përmet, Fyerjet dhe akuzat e pabaza.
1. Në 16 gusht të 2013, ditën që pasoi njërën nga festat më të rëndësishme të botës orthodhokse, Fjetja e Hyjlindëses Mari, në qytetin e Përmetit ndodhi një sakrilegj i rëndë. Rreth njëzet burra të një policie private shembën kambanoren e thjeshtë sipër të cilës ndodhej Kryqi, hynë brenda kishës me dhunë, goditën katër klerikë shqiptarë dhe besimtarët, hoqën ikonat, morën gurin e themelit të kishës dhe hodhën Ungjillin e Shenjtë dhe Enët e Shenjta në makinën e mbledhjes së mbeturinave të Bashkisë. Falë fakteve e dokumenteve të pakundërshtueshme dhe pamjeve që qarkulluan, pati një zemërim të madh midis orthodhoksëve, jo vetëm të Shqipërisë. Skenat kujtonin kohëra të vjetra, kur nisi persekutimi ateist në Shqipëri. Nëse supozohet se do të ndodhte një ngjarje e tillë e ngjashme në një objekt kulti të një besimi tjetër dhe ateistë apo njerëz të besimeve të tjera të flaknin sendet e shenjta në një makinë mbeturinash, është e sigurt se do të pasonte një reagim shumë i fortë, jo vetëm në Shqipëri, por edhe më gjerë. Siç ishte e natyrshme, ngjarjet i dënuan shumë vetë, duke nisur nga kryeministri i vendit deri tek organizmat ndërkombëtarë të krishterë, të cilët u vunë në dijeni. Asgjë prej këtyre nuk ka parë ose dëgjuar historiani Frashëri. Në artikullin e tij të gjatë, që u botua në “Gazeta Shqiptare”, në 26 gusht 2013, nuk gjeti asnjë fjalë për të folur rreth sakrilegjit. E vetmja gjë që thekson në epilogun e shkrimit të tij është propozimi: “priftërinjtë që shkelën vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe prishën rendin publik, duhen dërguar para gjyqit” (ka në mendje katër klerikët shqiptarë në moshë të pjekur, që policia private i goditi pa mëshirë). Njëkohësisht, ai e gjeti shkakun për të bërë një seri fyerjesh dhe akuzash të pabaza ndaj Kryepiskopit dhe Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Me mënyrën e tij të njohur arbitrare, siguron se “...nuk ka dyshim se prapa Kishës së Përmetit qëndron kryepeshkopi Anastas Janullatos...”. E siguroj se i mësova këto ngjarje më pas. Klerikët orthodhoksë dhe laikët besimtarë nuk kanë nevojë për urdhra, që të mbrojnë të shenjtat dhe të hirshmet. Ata e kanë fuqinë për t’u bërë ballë vetë cenimeve ateiste. Nëse kur u njoftova për ngjarjen e hidhur, nuk do të ngrija zërin e protestës, do të kisha qenë një udhëheqës kishtar frikacak. Z. Frashëri del në përfundimin se, u shërbej qëllimeve të errëta dhe se synoj ta lë Përmetin pa shtëpi kulture. Deklaroj shumë qartë: Kjo është një akuzë tërësisht e gënjeshtër. Nuk e kam menduar kurrë diçka të tillë. Nga ana tjetër, nuk ekziston dilemë midis kishës dhe shtëpisë së kulturës. Që të dyja mund ta pasurojnë Përmetin nga ana shpirtërore. E kemi qartësuar në mënyrë të përsëritur, se Kisha është e predispozuar të kontribuojë ekonomikisht në ngritjen e shtëpisë kulturore të Përmetit, natyrisht me emrin Naim Frashëri. Por për Kishën Orthodhokse, kishat, në të cilat kryhej Liturgjia Hyjnore për shekuj të tërë, janë vende të shenjta. Dhe në këtë pikë mbështetet ankesa dhe protesta e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë ndaj Shtetit Shqiptar. Autoritetet shtetërore e dinë shumë mirë se sa kisha konfiskuan, shkatërruan apo i kthyen ato në destinacione të tjera. Pas ardhjes së Demokracisë e për më tepër pas Kushtetutës së vitit 1998, që thekson respektin ndaj lirisë fetare, shpresonim se, nëse jo për të tjerat, por të paktën vendet e shenjta, arkivat fetare kishtare, ikonat, enët e shenjta, çdo gjë që lidhej me adhurimin, do t’i riktheheshin përsëri Kishës Orthodhokse. Në vend të kësaj, përballemi me një taktikë shumëvjeçare shmangiesh, diskriminimesh dhe padrejtësish, madje edhe me vendime gjyqësore të mbështetura në të dhëna të gënjeshtra dhe dëshmitarë të rreme. Këtu qëndron çështja kryesore për Kishën Orthodhokse. Në të gjitha shtetet e tjera ish komuniste të Ballkanit, kjo çështje tanimë është zgjidhur përfundimisht. Në Shqipëri, me marifete të shumëllojta ligjore, është shmangur. Më në fund, sipas Kushtetutës së vitit 1998 (neni 10), u bë Marrëveshja midis Këshillit të Ministrave dhe Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Në kohën e negociatave mbi këtë ligj, u diskutua me organet shtetërore kompetente edhe çështja e Përmetit, me shpresën se do të rregullohej me anë të mekanizmave politikë, duke përfunduar me restaurimin e kishës së vjetër të shekullit të 17-të dhe ngritjen e shtëpisë së kulturës. Por ky rregullim, si edhe kthimi i monumenteve të kulturës vazhdimisht është shtyrë. Për fat të keq, ligji 10057 nuk zbatohet. Z. Frashëri me lehtësinë e tij, që ka për të dalë në përfundime për çështje që në thelb nuk i njeh fare, siguron se kisha ishte një ndërtesë e vogël 25 m2. Në të vërtetë është e njohur për të gjithë nga fotot e ndryshme dhe skicat arkitektonike, mbi bazën e të cilave u transformua ndërtesa, por edhe nga muret që ekzistojnë edhe sot nga kisha e vjetër, se bëhet fjalë për një ndërtesë me përmasa 20x14m. Madje kishës i përket jo vetëm pjesa ku u bë shtëpia e kulturës, por i gjithë territori përreth, sot lulishte, me një sipërfaqe prej 6186 m2, e gjitha e dokumentuar. Personi që punoi planin e shndërrimit të kishës së të Tërëshenjtës së Pazarit të Përmetit në shtëpi kulture në vitet 1960-61, zj.Vasilika Cicko, në një relacion të sajin (24.2.2004), shënon: “Pas kontrollit të aftësisë mbajtëse të ndërtesës ekzistuese, u konkludua se muret perimetrale të saj ishin në gjendje statike të mirë dhe të afta për të përballuar ngarkesat që ato do të përballonin dhe për këtë arsye ato u ruajtën të paprekura”. Por, kryesorja në këtë çështje nuk është madhësia, por shenjtëria e kishës në fjalë, e cila i takon trashëgimisë kulturore të Shqipërisë nga shekulli i 17-të. Z. Frashëri shtron pyetjen përse nuk kërkuam diçka të ngjashme edhe në Tiranë. Por këtu nuk kishte ngelur asnjë gjurmë e kishës së vjetër dhe në truallin e saj u ndërtua Tirana International Hotel me 15 kate. Në fund fare, qeveria tregoi mirëkuptim dhe na dha truallin, mbi të cilin u ndërtua një kishë nga ana estetike e shkëlqyer dhe origjinale, pranë së cilës u përkujdesëm të ndodhet edhe kompleksi modern i qendrës kulturore. Z. Frashëri e zhvesh rëndësinë e Kishës Orthodhokse për nga shenjtëria e saj dhe në të njëjtën kohë shenjtëron rëndësinë e qendrës kulturore, veçanërisht të asaj të Përmetit.
2. Z. Frashëri njëkohësisht u rikthehet me pasion dhe fantazi të sëmurë akuzave të vjetra të pabaza. Ngul këmbë se kryepiskopi “është grek jo vetëm nga kombësia, por edhe nga ideologjia nacionaliste greke. Ai nuk është misionar ortodoks, por një agjitator i nacionalizmit grek…”. Por realiteti e përgënjeshtron në mënyrë absolute. Qarqet ekstremiste nacionaliste të Greqisë, në mënyrë të përsëritur sulmojnë Kryepiskopin Anastas. Nga ana tjetër, qarqe nacionaliste ekstremiste të Shqipërisë e akuzojnë për veprime antishqiptare. Se çfarë është dikush në të vërtetë, këtë e tregojnë veprat dhe shkrimet e tij. Kanë qarkulluar dhjetëra libra dhe qindra artikuj të mi në dymbëdhjetë gjuhë të ndryshme. Le të kërkojë z. Frashëri dhe grupi që e ndihmon, për të zbuluar ndonjë notë nacionaliste. I izoluar në dhomën e tij të punës dhe në librat e tij, nuk e di faktin se organizma ndërkombëtarë, siç është Këshilli Botëror i Kishave, Konferenca e Kishave Evropiane apo Konferenca ndërfetare e Feve për Paqen, janë shumë të vëmendshëm dhe nuk zgjedhin kurrë zëvendës-presidentë, presidentë, presidentë nderi (pozita me të cilat më kanë nderuar), njerëz për të cilët ekziston edhe dyshimi më i vogël se kanë mentalitete nacionaliste ekstremiste. Ashtu si z. Frashëri nuk e pa flakjen e Ungjillit dhe të Enëve të Shenjta si mbeturina në makinën e plehrave të Përmetit, po kështu nuk i ka parë kishat e reja madhështore në Korçë, Fier, Berat, Durrës, Sarandë, Gjirokastër, gjithsej janë ndërtuar mbi 150 të tilla; mbi 160 kisha të vjetra që janë rindërtuar, 60 monumente kombëtare kulture të restauruara. Apo konsideron “sjellje dhe veprimtari antishqiptare” psh. ngritjen e Qendrës moderne Diagnostike “Ungjillizimi” në Tiranë, ku në 12 vitet e funksionimit të saj, u ka shërbyer mbi 1.400.000 personave, pavarësisht përkatësisë fetare, Qendrën Okulistike dhe Otorinolaringologjike. Të gjitha këto të pajisura me aparaturat më moderne të teknologjisë së fundit. Klinikat e tjera që funksionojnë në Kavajë, Korçë, Lushnjë, Jorgucat, në zona të tjera rurale; veprën e gjerë sociale, filantropike, veçanërisht në periudha të krizave politiko-sociale të vendit (1992, 1994, 1997), organizimin e ndihmës në vitin 1999 për 33000 refugjatë nga Kosova. Apo programet bujqësore dhe blegtorale, të zhvillimit rural në zona malore, si dhe në çështjet e shëndetit, interesimin për përmirësimin e cilësisë së jetës të banorëve të fshatit me ndërtimin e rrugëve, ujësjellësve. Dhe 450 ndërtesat e ndërtuara në total, të cilat u ngritën edhe për të strehuar shkolla, qendra mjekësore, jetimore, konvikte etj. Mos i konsideron të tilla 120 librat liturgjikalë e shkencorë, të cilat u përkthyen në shqip dhe u botuan nga Kisha apo revistat e botimet e tjera në shqip?! Me veprat e infrastrukturës që janë kryer - të gjitha këto u bënë me fondet e gjetura nga Kryepiskopi në vende të ndryshme të Evropës dhe të Amerikës,- Kisha ka kontribuar në zhvillimin ekonomik të vendit, duke iu ofruar punë qindra punonjësve, dhjetëra shoqërive private dhe qindra punëtorëve e mjeshtërve vendas. Me të gjitha këto, është një prej investitorëve më seriozë të vendit. Këta janë vetëm disa shembuj “të aktivitetit antishqiptar të Kryepiskopit”. Por kontributi i madh i Kryepiskopit në jetën kulturore dhe shpirtërore të Shqipërisë njihet prej qindra mijëra orthodhoksësh, që nuk reshtin së treguari përkushtimin, mirënjohjen dhe dashurinë e tyre. Përkundrazi, tekstet e z. Frashëri janë të mbushura përplot me sulme nacionaliste kundër Greqisë. Ndërsa ne e shikojmë të ardhmen e Ballkanit në pjesëmarrjen e barabartë në Bashkimin Evropian, fantazitë tuaja fobike të risjellin në mendje të shkuarën. Personalisht besoj në mënyrë të patundur, në nevojën e respektit të ndërsjellë, të pajtimit, të ndihmës reciproke midis popujve dhe të ecjes së përbashkët drejt qytetërimit dhe mirëqenies.
3. Z. Frashëri, duke e vazhduar taktikën e tij të bërjes së sakrilegjit, u rikthehet në mënyrë monotone temave, që janë tashmë qartësuar plotësisht prej vitesh në letrën time të fundit, botuar në Gazeta Shqiptare, dt 3.12.2010 ku u bënë të qarta pasaktësitë e tij historike, dyshimet e tij të pabaza dhe mosnjohja e plotë e të dhënave biblike dhe e institucioneve kishtare. Sigurisht, ndaj këtij teksti nuk pati asnjë kundërpërgjigje. Për të mos ngelur as dyshimi më i vogël në lidhje me faktet historike, duke u nisur nga shtrembërimi sistematik që u bëhet atyre, që ka si synim të tijin mashtrimin e njerëzve që nuk kanë njohuri, po i përmbledh përsëri shkurtimisht në përshkrimin e mëposhtëm. Zgjedhja ime si Kryepiskop, që u bë në 24 qershor të 1992, u konsiderua sipas kanoneve në fuqi të Orthodhoksisë, një fakt i kryer kishtar. Dhe u bë i ditur publikisht me Letrat Patriarkale të veçanta, dërguar Kishave të tjera Orthodhokse Autoqefale, të cilat e pranuan zgjedhjen me shumë dashamirësi. Duhet të rikujtojmë këtu se edhe Sinodi i parë kanonik i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë u zgjodh në vitin 1937, po në Konstandinopojë, nga Patriarkana Ekumenike, pa pjesëmarrjen më të vogël të faktorëve të tjerë. Fronëzimi, u bë, pas një sërë konsultimesh me autoritetet kompetente shtetërore shqiptare, në Kishën Katedrale të Ungjillizimit të Tiranës, në 2 gusht 1992, me praninë e të gjithë përfaqësuesve klerikë dhe laikë të krahinave të Shqipërisë. Liturgjia Hyjnore përfundoi rregullisht si edhe ceremonia e thjeshtë e fronëzimit. Vijoi një drekë zyrtare në Tirana Hotel, ku nuk u krye asnjë akt kishtar. Për këtë ngjarje janë botuar në mënyrë të përsëritur, përshkrimet e njerëzve të ndodhur atje. Vendosja e Primatit të ri të një Kishe lokale, vuloset nga ana ligjoro-kanonike me Letrat paqësore, që u dërgon primatëve të Kishave të tjera dhe me përgjigjet zyrtare që merr në këmbim. Të gjitha këto u kryen në mënyrë të rregullt. Kisha Orthodhokse ka histori dhe institucione shumëshekullore, që ruhen me saktësi absolute. Si përfundim, besimi me tërë shpirtin i besimtarëve orthodhoksë nga të gjitha krahinat e Shqipërisë për Kryepiskopin, shkatërroi çdo përpjekje minuese kundër tij. Pas 22 vitesh vjen z. Frashëri për të na fyer, në mënyrën më dashakeqe, me mitet e tij. Sa i takon Statutit të 1929, për të cilin ka nostalgji, është provuar në mënyrë të përsëritur, se ishte ky Statut me 14 nene të tij, që skllavëroi Kishën Orthodhokse të Shqipërisë tek pushteti shtetëror dhe se është hartuar përpara shpalljes së Autoqefalisë së Kishës së Shqipërisë. (Për më shumë mund të shikojë dikush përgjigjen time në Gazeta Shqiptare dt. 3.12.2010 si edhe në librin që do të qarkullojë së shpejti “Ringritja e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë (1991-2012,) Tiranë 2013. Sipas Kushtetutës të Republikës së Shqipërisë, (neni 10, paragrafi 5), është nënshkruar “Marrëveshja ndërmjet Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë për rregullimin e marrëdhënieve të ndërsjella”, dhe është miratuar nga Parlamenti dhe është bërë ligj i Shtetit nr. 10057/22.1.2009. Sipas këtij ligji (neni 5, paragr.1) “Shteti respekton Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë dhe njeh si përfaqësues të saj vetëm personat e autorizuar nga Sinodi i Shenjtë i kësaj Kishe dhe garanton mbrojtjen e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë nga çdo person ose grup që pretendon emrin, objektet e kultit, pronat, simbolet ose vulën e saj”. Ndërsa në nenin 23 paragrafi 1, thuhet përsëri: “Objektet e kultit që kanë statusin e monumentit të kulturës t’i kthehen në pronësi Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë dhe do të mbrohen e trajtohen nga ligji për trashëgiminë kulturore”.
4. Z. Frashëri, në artikullin e tij fyes, nuk mungon të na sigurojë se lindi në 1920 dhe se u pagëzua i krishterë orthodhoks. Por nuk flet fare për konseguencën e tij ndaj besimit orthodhoks, në vitet e persekutimit ateist, por edhe për vazhdimin gjatë viteve të Demokracisë. Është e njohur se shumë vetë në Shqipëri, vetëm në emër orthodhoksë, përndoqën Kishën Orthodhokse. Se sa është dikush me të vërtetë orthodhoks, këtë e tregojnë idetë dhe veprat e tij. Sipas z. Frashëri, vetëm “ …ndonjë prift grek” mendon për këtë çështje në këtë mënyrë “ …i paçliruar ende nga mentaliteti mesjetar, pasi vetëm për ta Shën Mëria vlen më tepër se një hero kombëtar, siç është Naim Frashëri… Shën Mëria nuk më çliroi nga zgjedha osmane. Ai që më çliroi ishte Naim Frashëri. Vëlla, me bashkatdhetarët e mi të feve të tjera nuk më bëri Shën Mëria, por Naim Frashëri, madje ajo më përçau me bashkatdhetarët e mi të besimeve të tjera. Identitetin tim kombëtar nuk ma kaliti Shën Mëria, por Naim Frashëri me shokët e tij. Kjo nuk do të thotë se nuk e çmoj Shën Mërinë, por si yll polar kam Naimin dhe rilindësit e tjerë. E vlerësoj Shën Mërinë si nënën e Krishtit për dhembshurinë që ajo përhap tek njerëzit...”. Ky tekst është i qartë për dalldisjen nacionaliste, por jo sigurisht për besimin e krishterë orthodhoks dhe atë të krishterë në përgjithësi rreth të Tërëshenjtës Mari. Dhe jo vetëm për orthodhoksët e Shqipërisë, por edhe për orthodhoksët dhe romanokatolikët e mbarë botës, kjo është diçka fyese. Z. Frashëri është i lirë të besojë ose jo në të vërtetat që na jep Kisha Orthodhokse. Por ajo që nuk i lejohet, është të dojë të shfaqet si specialist në çështje të Orthodhoksisë dhe të japë leksione të Theologjisë, të së Drejtës Fetare, të Historisë Kishtare tek Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë. Çdo historian objektiv e njeh shumë mirë dekadencën në të cilën ndodhej Kisha e Shqipërisë në dhjetëvjeçarët e parë të shekullit të 20-të si edhe shpërbërjen e plotë që i shkaktoi regjimi ateist. Por në të njëjtën kohë është fare e qartë, se nga viti 1991, në një kohë pasigurie dhe turbullirash, Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë forcoi besimin, pajtimin, dashurinë, shpresën e popullit orthodhoks dhe më në përgjithësi të shoqërisë shqiptare, duke qëndruar me këmbëngulje dhe në mënyrë të ndërgjegjshme larg çdo lloj përzierjeje politike. Për këtë arsye, vlerësohet gjerësisht si brenda vendit dhe ndërkombëtarisht, sepse me praninë e saj, kontribuoi esencialisht në ndërtimin dhe në zhvillimin e përgjithshëm shpirtëror dhe social të Shqipërisë. Post Scriptum Kisha përfunduar përgjigjen e mësipërme, kur mësova nga interneti, se në Përmet ekziston tashmë nga viti 2010 një Qendër Kulturore Multifunksionale moderne (shih foton), e cila ka edhe sallë të madhe për aktivitete, muze, zyra etj. E vetmja gjë që harruan ishte t’i venë emrin “Naim Frashëri”. Mua kujtua fakti se në vitet 2009-2010 një zyrtar shtetëror na kishte premtuar se që të zgjidhej kjo çështje, Shteti do t’i jepte Bashkisë shtëpinë e oficerëve, për t’u bërë qendër kulturore, që të na kthehej vendi ku prej shekujsh ndodhej kisha e të Tërëshenjtës Mari. Në atë kohë shprehëm gatishmërinë tonë për të kontribuar ekonomikisht në krijimin e Qendrës Kulturore, po për këtë u përdorën fonde të ardhura nga Italia. Por, megjithëse tashmë qyteti e kishte qendrën kulturore, gjatë periudhës tranzitore të ndryshimit të qeverisë, u organizua ndërmarrja mjerane me fushatën tinëzare kundër Kryepiskopit dhe e përdhosjes dhe zhurmës shurdhuese kundër Kishës Orthodhokse. Gjatë këtyre javëve u fsheh nga të gjitha palët ekzistenca e kësaj qendre të re kulturore dhe u përsërit akuza e gënjeshtër se gjoja Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, nuk do që të ketë qendër kulture në Përmet. Është e qartë se dilema nuk është Kishë ose Qendër Kulture. Me sa duket të interesuarit për të marrë Kishën, e bëjnë këtë për arsye përfitimi dhe aspak për motive kulturore. Si rrjedhojë, këtu kemi të bëjmë me një skandal të trefishtë, sakrilegjin e paturpshëm që ka ekspozuar vendin në arenën ndërkombëtare, fshehjen sistematike të faktit real, se në Përmet ekziston tashmë një qendër kulturore, për të mashtruar opinionin publik dhe përdorimi arbitrar i kësaj çështjeje për të bërë fyerje dhe akuza të pabaza kundër Kryepiskopit dhe në përgjithësi kundër Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.
Ne foto, Qendra moderne multifunksionale e Permetit, me se e mjaftushme per nje qytet-komune, ku kryetari eshte zgjedhur me me pak se 2 mije vota...
Pas Shën Marisë po zbukuron muret e Shën Dimitrit.
Ikonografi fitoi projektin 3-vjeçar në Easton, Masaçusets, ku po realizon 41 ikona.
Disa artistë e gjejnë frymëzimin te bukuria e një perëndimi spektakolar apo një buzëqeshje e ëmbël fëmije. Disa, si Dhimitri Çika, e gjejnë te lutja dhe Bibla. Shqiptari Çika, i specializuar në artin bizantin dhe ikonografi, është duke kërkuar shumë frymëzim këto ditë, duke qenë se ka marrë përsipër projektin e shumëpritur të karrierës së tij: të mbulojë një hapësirë të bardhë të pafund, muret e brendshme dhe altarin e Kishës Ortodokse Shën Dimitri në Easton, me ikona madhështore zbukuruese. Ai tashmë ka realizuar 10 të madhësive të ndryshme, nga 41 që duhet të bëjë. I nisur 6 muaj më parë, projekti pritet të zgjasë 3 vjet. “Është Bibla në pikturë”, shpjegon George Coca, ndihmëspastori, gjatë vizitës. “Kjo është mënyra më e thjeshtë për të shpjeguar se çfarë po bën ai”. Këto ditë, në një skenë që të sjellë ndër mend Mikelanxhelon duke pikturuar në Kapelën Sistine, Çika punon mbi skelat e larta në nef. Ai ishte duke vendosur zbukurime rreth ikonave të përfunduara, mes të cilave më e spikatura është një përshkrim 24 fut (rreth 7 metra e gjysmë) i gjatë i “Darkës së fundit”, që sipas besimit të krishterë ndodhi në vigjilje të kryqëzimit të Krishtit. Coca shpjegon që, sipas traditës, muret e brendshme të kishave ortodokse janë të mbuluara me ikona, që përshkruajnë jetën e Krishtit, që nga njoftimi që engjëjt i bëjnë virgjëreshës Mari, lindja dhe pagëzimi, deri te kryqëzimi dhe ringjallja.
Të gjitha këto tema duhet të përshkruhen edhe në muret e Shën Dimitrit, projekti i të cilit është hartuar nga vetë drejtuesit e kishës. Artisti, i cili jeton në Worcester, Masaçusets, është diplomuar në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë dhe ka punuar si piktor në Athinë, ka studiuar art bizantin dhe ikonografi në Selanik, Greqi, por edhe në Tiranë e Korçë. Projekti i fundit që ai ka realizuar është kisha shqiptare e Shën Marisë në Worcester. Pasi ka ngjitur me shkathtësi skelat e larta, Çika e përshkruan veten, në anglisht, si “shumë shpirtëror”, që mbështetet te lutja dhe agjërimi (siç është traditë me ikonografët), kur kërkon të gjejë domethënien, kuptimin e një detyre që ka përpara. Sipas ndihmëspastorit, ka qenë më shumë se fati, që e solli piktorin në Easton. Pasi Çika mësoi se kongregacioni i Shën Dimitrit kishte ndërtuar një kishë të re më të bollshme në Easton, ai udhëtoi nga Worcesteri në Easton. “Unë gjithashtu quhem Dimitri”, thotë ai, teksa shton se ai dëshironte të krijonte ikonat në një kishë që mbante emrin e këtij shenjtori. Gjithashtu ai u tërhoq edhe më shumë pas projektit, pasi kisha e re e madhe dhe ambientet e saj për publikun janë ndërtuar në një stil bizantin, kështu që “arkitektura dhe arti përputhen”. Coca na zbulon gjithashtu se piktori ishte zgjedhur nga komisioni mes 4 kandidatëve (“Ka më shumë ikonografë vërdallë, nga ç’e mendoni”, thotë ai duke qeshur. “Sidomos në Europë, ka shumë të specializuar në restaurim”.) Pasi ishte takuar me komitetin kishtar për projektin e ikonave, dhe pasi dorëzoi një dosje me skica, Çika u zgjodh. Çdo ikonograf ka stilin e vet dhe qasjen me një nga “shkollat” tradicionale të mendimit: sllave (përfshirë atë ruse dhe bullgare), greke dhe maqedone. Çika thotë se ai është më shumë i tërhequr ndaj shkollës maqedone.
Duke punuar në “atelierin” e tij në Worcester, Çika shpjegon se së pari ai pret një copë kanavacë, ekzaktësisht sipas specifikimeve të tij, në varësi të ikonës që ka në dorë. Pastaj ai aplikon allçi mbi kanavacë. Nga një skicë e vogël ai krijon një skicë të madhe me qymyr mbi kanavacë dhe, vetëm kur është i kënaqur, aplikon bojërat. Ikonat dhe zbukurimet dekorative janë bërë të gjitha në këtë mënyrë. Kur ai ka një numër të mirë të kanavacave të kompletuara, ai niste për Easton, ku ai fikson përfundimisht çdo pikturë dhe zbukurim në mur. Çdo kanavacë është mbuluar me disa shtresa të ndryshme verniku, në mënyrë që ato të pastrohen lehtësisht. Paleta e tij përbëhet nga “ngjyrat tradicionale bizantine”, si bojë qielli, portokalli, e kuqe, kafe dhe ngjyrë ari. Për aureolat dhe theksime të tjera mbresëlënëse, përdor fletë ari. I pyetur mbi stilin e tij personal, përgjigjja e artistit është: “Unë pikturoj me zemër”.
Te dielen,ne daten 1 shtator predikimin e dites,ne katedralen "Ngjallja e Krishtit" ne Tirane e mbajti Ate Martin Ritsi nga SHBA i cili ka qene ne Shqiperi edhe para disa vitesh si misionar. At Martini eshte nje nga misionaret e pare ne Kishen Ortodokse ne fillimet e saj pas renies se komunizmit.Ka sherbyer ne Shqiperi nga viti 1992 deri ne vitin 1998,sebashku me disa klerike dhe laike te tjere nga SHBA per te ndihmuar ringritjen e kishes ortodokse ne Shqiperi. Ai ka qene nje klerik qe ka predikuar dhe pagezuar ne zonen e Elbasanit.