Friday, September 6, 2013

Dhimitri Çika, një Mikelanxhelo shqiptar në kishat amerikane

Pas Shën Marisë po zbukuron muret e Shën Dimitrit.

Ikonografi fitoi projektin 3-vjeçar në Easton, Masaçusets, ku po realizon 41 ikona.

Emri:  dhimitri-cika.jpg

Shikime: 35

Madhësia:  60.5 KB

Disa artistë e gjejnë frymëzimin te bukuria e një perëndimi spektakolar apo një buzëqeshje e ëmbël fëmije.
Disa, si Dhimitri Çika, e gjejnë te lutja dhe Bibla. Shqiptari Çika, i specializuar në artin bizantin dhe ikonografi, është duke kërkuar shumë frymëzim këto ditë, duke qenë se ka marrë përsipër projektin e shumëpritur të karrierës së tij: të mbulojë një hapësirë të bardhë të pafund, muret e brendshme dhe altarin e Kishës Ortodokse Shën Dimitri në Easton, me ikona madhështore zbukuruese. 
Ai tashmë ka realizuar 10 të madhësive të ndryshme, nga 41 që duhet të bëjë. I nisur 6 muaj më parë, projekti pritet të zgjasë 3 vjet. 
“Është Bibla në pikturë”, shpjegon George Coca, ndihmëspastori, gjatë vizitës. “Kjo është mënyra më e thjeshtë për të shpjeguar se çfarë po bën ai”.
Këto ditë, në një skenë që të sjellë ndër mend Mikelanxhelon duke pikturuar në Kapelën Sistine, Çika punon mbi skelat e larta në nef. 
Ai ishte duke vendosur zbukurime rreth ikonave të përfunduara, mes të cilave më e spikatura është një përshkrim 24 fut (rreth 7 metra e gjysmë) i gjatë i “Darkës së fundit”, që sipas besimit të krishterë ndodhi në vigjilje të kryqëzimit të Krishtit. 
Coca shpjegon që, sipas traditës, muret e brendshme të kishave ortodokse janë të mbuluara me ikona, që përshkruajnë jetën e Krishtit, që nga njoftimi që engjëjt i bëjnë virgjëreshës Mari, lindja dhe pagëzimi, deri te kryqëzimi dhe ringjallja. 

Emri:  dhimitri3.jpg

Shikime: 25

Madhësia:  90.8 KB

Të gjitha këto tema duhet të përshkruhen edhe në muret e Shën Dimitrit, projekti i të cilit është hartuar nga vetë drejtuesit e kishës. 
Artisti, i cili jeton në Worcester, Masaçusets, është diplomuar në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë dhe ka punuar si piktor në Athinë, ka studiuar art bizantin dhe ikonografi në Selanik, Greqi, por edhe në Tiranë e Korçë. Projekti i fundit që ai ka realizuar është kisha shqiptare e Shën Marisë në Worcester. 
Pasi ka ngjitur me shkathtësi skelat e larta, Çika e përshkruan veten, në anglisht, si “shumë shpirtëror”, që mbështetet te lutja dhe agjërimi (siç është traditë me ikonografët), kur kërkon të gjejë domethënien, kuptimin e një detyre që ka përpara. 
Sipas ndihmëspastorit, ka qenë më shumë se fati, që e solli piktorin në Easton. Pasi Çika mësoi se kongregacioni i Shën Dimitrit kishte ndërtuar një kishë të re më të bollshme në Easton, ai udhëtoi nga Worcesteri në Easton. 
“Unë gjithashtu quhem Dimitri”, thotë ai, teksa shton se ai dëshironte të krijonte ikonat në një kishë që mbante emrin e këtij shenjtori. Gjithashtu ai u tërhoq edhe më shumë pas projektit, pasi kisha e re e madhe dhe ambientet e saj për publikun janë ndërtuar në një stil bizantin, kështu që “arkitektura dhe arti përputhen”. 
Coca na zbulon gjithashtu se piktori ishte zgjedhur nga komisioni mes 4 kandidatëve (“Ka më shumë ikonografë vërdallë, nga ç’e mendoni”, thotë ai duke qeshur. “Sidomos në Europë, ka shumë të specializuar në restaurim”.)
Pasi ishte takuar me komitetin kishtar për projektin e ikonave, dhe pasi dorëzoi një dosje me skica, Çika u zgjodh. 
Çdo ikonograf ka stilin e vet dhe qasjen me një nga “shkollat” tradicionale të mendimit: sllave (përfshirë atë ruse dhe bullgare), greke dhe maqedone. Çika thotë se ai është më shumë i tërhequr ndaj shkollës maqedone. 

Emri:  dhimitri1.jpg

Shikime: 19

Madhësia:  87.8 KB

Duke punuar në “atelierin” e tij në Worcester, Çika shpjegon se së pari ai pret një copë kanavacë, ekzaktësisht sipas specifikimeve të tij, në varësi të ikonës që ka në dorë. Pastaj ai aplikon allçi mbi kanavacë. Nga një skicë e vogël ai krijon një skicë të madhe me qymyr mbi kanavacë dhe, vetëm kur është i kënaqur, aplikon bojërat. 
Ikonat dhe zbukurimet dekorative janë bërë të gjitha në këtë mënyrë. Kur ai ka një numër të mirë të kanavacave të kompletuara, ai niste për Easton, ku ai fikson përfundimisht çdo pikturë dhe zbukurim në mur. Çdo kanavacë është mbuluar me disa shtresa të ndryshme verniku, në mënyrë që ato të pastrohen lehtësisht. 
Paleta e tij përbëhet nga “ngjyrat tradicionale bizantine”, si bojë qielli, portokalli, e kuqe, kafe dhe ngjyrë ari. Për aureolat dhe theksime të tjera mbresëlënëse, përdor fletë ari.
I pyetur mbi stilin e tij personal, përgjigjja e artistit është:
“Unë pikturoj me zemër”.

(“Greenwichtime.com)

No comments:

Post a Comment