Monday, September 16, 2013

Lartësimi i Kryqit të çmuar

Lartësimi i Kryqit të çmuar

Ndërsa përgatitej të shkonte në Romë e të luftonte kundër rivalit të tij Maksentit, Konstandini i Madh pa një natë shenjën e Kryqit jetëbërës t’i shfaqej në një formë të shndritshme në qiell të rrethuar nga këto fjalë ”ΕΝ ΤΟΥΤΟ ΝΙΚΑ”, e përkthyer “Do të fitosh me këtë”. I zbukuroi armatimet me shenjën e kryqit dhe kori fitore brilante, gjë që i lejoi të merrte pushtetin mbi gjithë perandorinë romake dhe të siguronte triumfin e Krishterimit. Në vitin e 20 të mbretërimit të tij, Konstandini dërgoi nënën e tij Elena në Jerusalem që të nderonte Vendet e Shenjta, të gjente vendin e Varrit të Shenjtë dhe të Kryqit, ku punimet për zgjerimin e qytetit nga Adriani kishin bërë të fshiheshin në rrënoja. Me ndihmën e traditave gojore, Shën Elena gjeti të tre kryqet, dy të kusarëve dhe Kryqin e Zotit, si dhe tri gozhdë që kishin mbërthyer gjithashtu trupin e Zotit. Por nuk mundi dot të dallonte se cili ishte Kryqi i Zotit. Shërimi i një gruaje që ishte në prag të vdekjes me anën e Kryqit të Zotit bëri që patriarku i Jerusalemit ta dallonte nga dy të tjerët. Atëherë ai hipi mbi amvonën e kishës, dhe duke marrë Kryqin e lartësoi para të gjithëve, ndërsa turma thërriste:- “Mëshiro, o Zot!”. Që nga kjo ditë, Etërit e shenjtë vendosën ta kremtonin çdo vit Lartësimin e Kryqit të çmuar në të gjitha kishat, jo vetëm në kujtim të kësaj ngjarjeje, por të treguar se nga instrument turpi që ishte, kryqi u bë lavdia dhe gëzimi ynë. Duke kujtuar atë ç’ka bëri patriarku dhe duke e lartësuar Kryqin në katër anët e horizontit me thirrjen “Mëshiro, o Zot”, të krishterët tregojnë sot se duke u ngjitur në Kryq, Krishti ka pajtuar me veten e Tij gjithçka, ka bashkuar të gjitha largësitë e krijimit, lartësinë dhe thellësinë, në trupin e Tij, që ne të shkojmë tek Ati. Kjo ditë është një ditë kreshme edhe nëse festa bie në ditë të diel. Në këtë rast përdorim vaj dhe verë.




No comments:

Post a Comment